Kosovës ende i mungojnë edhe 1640 persona të zhdukur gjatë luftës. Zbardhja e fatit të tyre ka qenë tema e parë në rinisjen e dialogut të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në korrikun e këtij viti por edhe në nivel ekspertësh.
Madje identifikimi i mbetjeve të personave e të zhdukur ishte një nga pikat e nënshkruara në dokumentin e zotimeve në Shtëpinë e Bardhë mes kryeministrit Avdullah Hoti e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Por pavarësisht se në praninë e presidentit Trump, Vuçiq nënshkroi këtë zotim një zyrtar i lartë i shtetit serb e shkeli atë pak kohë pas.
Ishte ish-ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq, tash kryetar i Kuvendit të Serbisë që u shfaq i nervozuar me serbët që tregojnë se ku janë varrosur shqiptarët në Serbi.
Kjo deklaratë nxiti reagime të ashpra në Kosovë, sidomos te familjarëve të të zhdukurve.