Deklaratat e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, njëherit edhe kandidati për kryeministër lidhur me vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit kanë shkaktuar debat në Serbi.
Ndaj deklaratave të tij dhënë ditë më parë për Euronews ka reaguar zëvendëskryeministrja Zorana Mihajlovic.
Sipas Mihaljovic, Serbia nuk është përkulur asnjëherë përpara kërcënimeve dhe shantazheve dhe Kurti nuk është dikush që mund t’i japë Serbisë mësime, veçanërisht duke pasur parasysh përpjekjet e Serbisë për të mbajtur të gjallë dialogun.
Ndërkohë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq u shpreh në një intervistë për Euronews se komentet e Kurtit në përgjithësi kanë treguar që dialogu me Beogradin nuk është një prioritet për të.
Gjatë intervistës kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmendi vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, për të cilin ka thënë se do kërkojë reciprocitet nga Serbia.
“Jam gati të përfshihem në një dialog ku ka përfitime. Por mendoj se nuk është e pranueshme për askënd në Kosovë, duke përfshirë edhe mua, që të përfshihen në një dialog ku supozohet se do të kompensojmë shtetin e Serbisë për humbjen e këtij shteti gjatë kohës së Millosheviçit. Serbia kreu gjenocid në Kosovë,” u shpreh Kurti.