Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka përsëritur se Serbia favorizohet dukshëm në procesin e Brukselit.
Siç tha ai, në dialog ka standarde të dyfishta, duke shtuar se Kosova është e diskriminuar në këtë proces.
“Ka standarde të dyfishta, këtë do ta them gjithmonë dhe fuqishëm. Kosova është e diskriminuar në këtë proces, Kosova po përjeton padrejtësi në këtë proces. Çka po bën Kosova? Po do të realizojë një përmbajtje e cila është pikërisht marrëveshje, dhe kjo është hapja e urës. Negociatorët e mëhershëm e kanë bërë urën pjesë të negociatave, por palët janë pajtuar që ura të hapet. Tash kur Kosova do ta zbatojë marrëveshjen, nuk duhet të hapet ura, thonë faktorët ndërkombëtarë. Ndërsa për faktin që ne ende nuk po mundemi ta zbatojmë asociacionin, Kosova meriton të përjashtohet. Këto janë standarde të dyfishta”.
“Kosova nuk trajtohet e barabartë në procesin e dialogut, Serbia trajtohet ndryshe, Kosova ndryshe. Serbia favorizohet dukshëm në procesin e Brukselit, kështu ka qenë edhe në të kaluarën, por fatkeqësisht po vazhdon edhe sot”.
Më tej, Konjufca tha se Kosova po do sundim të ligjit.
“Kosova dëshiron të vijë në një pikë e kjo është betejë, e nuk këtë pikë do të vijmë patjetër sepse është betejë e drejt që sundimi i ligjit mos me qenë destabilizim. Kjo është lufta që po e bën Kosova sot. A ka mundësi me bë sundim të ligjit dhe shtrirje të sovranitetit dhe kjo mos me qenë destabilizim? Kjo s’është gabim nga ana e Kosovës. Ndoshta nuk e kemi gjetur mënyrën më të mirë, do ta përmirësojmë, por drejtimi është i duhuri”, tha Konjufca në konferencën me homologen e tij nga Shqipëria, Elisa Spiropali, raporton Klankosova.tv.