Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, e ka komentuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të Kosovës dhe Izraelit. Bërnabiq u shpreh se Serbia nuk do të dëshironte që kjo punë të përfshihej në marrëveshjen e Uashingtonit.
“Ne nuk donim që kjo të përfshihej në marrëveshjen e Uashingtonit. Është e qartë se presioni nga Shtetet e Bashkuara ishte shumë më i fortë. Ne do të shohim se si do të sillen vendet e tjera, veçanërisht myslimanët”, pohoi kryeministrja serbe, raporton b92.A
jo tregon se nuk ka asnjë kusht nga Evropa për të zgjidhur çështjen e Kosovës në vitin 2021.
“Unë mendoj se zgjidhja e çështjes nuk është e kufizuar në kohë, por sigurisht se Evropa pret ndonjë marrëveshje mbi normalizimin përpara se të bashkohet me BE-në. Evropa nuk dëshiron të importojë probleme”, tha ajo.
Të hënën, më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, formalizuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.