Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar lidhur me reagimin e Ambasadës së SHBA’së në Prishtinë, ku thuhej se procesi i zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Kryeprokurorëve është prishur me themel, mungon transparenca dhe ka konflikt interesi.
Selimi ka thënë se SHBA’ja do të mbetet partneri kryesor në fushën e sundimit të ligjit dhe vendimin e sotëm të Ambasades Amerikane e ka pritur me shqetësim. Madje, Selimi e ka falënderuar Ambasadën e Amerikës për përkrahjen në ndryshimin e ligjit i cili do ta përmirësojë punën e Këshillit Prokurorial në sistemin e drejtësisë.
Më poshtë gjeni reagimin e plotë të ministrit Selimi:
ShBA-ja të mbetet partneri kryesor në fushën e sundimit të ligjit
Me shqetësim e kam pritur vendimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tërheqje nga përzgjedhja e anëtarëve të rinjë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Këshilli Prokurorial, është organ i pavarur dhe si i tillë duhet të reflektojë seriozisht në kritikat e partnerit tonë më strategjik. Transparenca dhe shmangia e ndikimeve politike është e domosdoshme. Politika duart larg drejtësisë! Falënderoj Ambasadën e ShBA-së, për përkrahjen në ndryshimin e ligjit që del nga Rishikimi Funsional, e i cili do të përmirësojë punën e Këshillit Prokurorial në sistemin e drejtësisë.