Ka filluar seanca gjyqësore ndaj shefit i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, raporton Front Online.
Me këtë rast Selimi kundërshtoi aktakuzën e ngritur ndaj tij, duke thënë se ajo është e padrejtë për të dhe për luftën që është bërë në Kosovë.
Selimi tha se dëshiron të besoj se qëllimi i Speciales do të jetë vetëm drejtësia.
“E di që ndoshta këtu nuk është momenti që të flas për legjitimitetin e kësaj gjykate duke e ditur që këtë gjykatë e ka themeluar Kuvendi. Dua të theksoj se unë e pata kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate, jo si shprehje kundër drejtësisë, por donim që drejtësia të bëhej nga institucionet e Kosovës në Kosovë”, tha ai.
Selimi tha se pasi Kosova kishte shpallur pavarësinë, Serbia e kishte paditur, andaj edhe ishte nxjerr raporti ndaj vendimit për shpalljen e pavarësisë.
“Më lejoni t’ju rikujtoj që pasi Kosova shpalli pavarësinë, Serbia e pati paditur Kosovën. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare ishte në favor të Kosovës. Vetëm pak muaj, Serbia përmes Dick Marty, nxorën një raport ndaj vendimit të GJykatës së Drejtësisë, e ndaj pavarësisë së Kosovës”, tha ai.
Selimi tha se Gjykata Speciale nuk do të duhej të ngritej.
“Nuk duhej të ngrihej një gjykatë dhe ja ku jemi. Kjo gjykatë është një fakt. Unë sot këtu nuk jam si deputet që e kam kundërshtuar këtë gjykatë por jam si një luftëtarë i UCK-së dhe si një ndër themeluesit e saj, përball ndaj një aktakuze të konfirmuar nga ju, i vetëdijshëm për seriozitetin e kësaj çështje”, shtoi ai.