Ministri në detyrë i Drejtësisë, njëherit kandidat për deputet nga radhët e Aleancs për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Selim Selimi, në ‘Edicioni i Analizës’ në Klan Kosova, deklaroi se Aleanca është e përgatitur për zgjedhje si çdo parti politike.
Selimi u shpreh se AAK-ja e ka kryer mobilizimin në degë dhe nëndegë dhe se ka një ofertë për qytetarin, i cili po e pret mirë. “Kemi ofertën për Ramushin president dhe planin qeverisës.Ofertën për Ramushin president është bërë nga detyrimi i rrethanave, si dialogu me Serbinë, ushtria e Kosova të futet në NATO, zhvillimi ekonomik, lufta me pandeminë dhe integrimet evropiane”, theksoi Selimi.
Ai foli edhe për deklaratën e Haradinajt, duke thënë se nuk është kërcënim.
“Nuk është kërcënim deklarata e Haradinajt, por është një opsion real i sovranit, siç e kemi bërë Trepçën, ushtrinë e Kosovës, pavarësimin energjetik. Kur i kemi marrë këto vendime të medha, mund ta bëjmë edhe këtë, nëse nuk realizohen ato plane”, tha ai.