Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi në një intervistë për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se duhet të bëhet procesi i vetingut dhe sipas tij për këtë nuk ka dilemë.Selimi ka thënë se duhet të bëhet një proces i vetingut i cili garanton integritet për personat në sistemin e prokurorisë dhe gjyqësorit.
“Veting duhet të ketë. Veting ka pasur një herë në vitin 2010, ka qenë një proces relativisht i mirë në krahasim me shtetet e tjera, por ka lënë shumë për të dëshiruar. Neve na duhet të bëjmë veting dhe ta kemi këtë veting të institucionalizuar, pra ta kemi një veting i cili do të na garantojë këtë integritetin personal të cilin e përmende më herët edhe figurat të cilat do të garantojë atë farë sigurinë e institucioneve, të prokurorisë dhe të gjyqësorit dhe për atë na duhet veting dhe nuk ka dilemë qe duhet të ketë veting”, ka thënë ministri i Drejtësisë, Selim Selimi.
Selimi ka thënë se ka qenë kundër formimit të një grupi të ekspertëve të vetingut nga ministri. Ai ka theksuar se tani është formuar grupi i ri i ekspertëve në të cilin merr pjesë edhe shoqëria civile dhe sipas tij, së shpejti do të marrin skenarët e mundshëm se si do të bëhet procesi i vetingut në institucionet e drejtësisë, përkatësisht në prokurori dhe gjyqësor.Për më tepër ndiqeni intervistën e plotë të ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi.