Qipro sot është nikoqire e Kosovës në kuadër të ndeshjes së dytë në Ligën e Kombeve.
Selektori qipriot, Temur Ketsbaia i motivuar nga fitorja me Lituaninë ndeshjen e parë është shprehur optimist se do të arrijnë rezultat pozitiv edhe ndaj “Dardanëve”.
“Sigurisht që duam pikët e plota pas fitores në udhëtim ndaj Lituanisë. Pas ndeshjes së parë besoj se skuadra do të japë diçka më shumë për të fituar. E dimë që do të përballemi me një ekip me talente, me lojtarë nga liga shumë të mëdha”, ka thënë fillimisht, Ketsbaia.
Tutje ai tha se Kosova nuk është sikurse Lituania, madje pati një mesazh edhe për të gjithë shikuesit qipriot.
“Pavarësisht se e humbi ndeshjen e parë në shtëpi, Kosova ka ekip të mirë. Kosova sigurisht nuk është Lituani. Fatkeqësisht deri tash nuk i kemi pasur shikuesit afër. Tani shpresojmë t’i kemi me vete dhe të arrijmë qëllimin tonë. Se sa e arritshme është fitorja, do ta shohim. Ne do ta japim maksimumin”, tha ndër të tjera, selektori i Qipros.
Qipro dhe Kosova janë ndeshur më përpara edhe dy herë të tjera me “Dardanët” që kanë triumfuar në dy sfidat./Gazeta Express