Shefi i diplomacisë serbe Nikolla Selakoviq deklaroi se Serbia është plotësisht e përkushtuar në normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën dhe se sipas tij “për Beogradin kjo do të thotë arritja e një zgjidhjeje kompromisi që do të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme dhe e pranueshme nga të dyja palët”.
Selakoviq shtoi se Serbia është e përkushtuar për dialog, “por mbetet skeptike ndaj angazhimeve të bëra nga zyrtarët në Prishtinë, duke pasur parasysh se së shpejti do të bëhen tetë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit, pa u formuar Asociacioni i Komunave Serbe”, transmeton Klan Kosova.
Ministri serb potencoi se pret aktivitet më të madh të BE-së ndaj Prishtinës kur bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Ai njëherit konfirmoi se anëtarësimi në BE mbetet angazhimi strategjik i Serbisë dhe një nga qëllimet e saj më të rëndësishme të politikës së jashtme.
Në takimin që pati me ambasadorin e Belgjikës në Beograd, Koen Adam, ai kujtoi se Serbia ka pranuar metodologjinë e re të negociatave të pranimit me BE-në, me shpresën se kjo do të përshpejtojë të gjithë procesin, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.