Zyrtarë kufitarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, kanë parandaluar kontrabandim të duhanit të cilat përmes Kosovës ishin të destinuara kryesisht për në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas njoftimit të policisë, si rezultat i angazhimeve dhe veprimeve policore vetëm përgjatë muajve dhjetor 2024 – janar 2025, janë identifikuar katër raste të kontrabandimit me cigare, ku persona të dyshuar me shtetësi të huaj dhe të Kosovës, kanë tentuar që të kontrabandojnë pako/shteka me cigare prej sasive të ndryshme, për në qytetin e Londrës.
Në rastin e fundit të ndodhur me datën 11 janar 2025, është parandaluar kontrabandimi i 41 pakove/shtekave me cigare, të cilat i dyshuari mashkull shtetas bullgar ka tentuar përmes Kosovës t’i kontrabandojë në Londër, pasi destinimi i tij ishte për në këtë qytet.
Në këto katër raste Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka sekuestruar mbi 340 pako/shteka me cigare të llojeve të ndryshme, kryesisht të llojeve të shtrenjta.