Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ia ka uruar fitoren në zgjedhjet presidenciale kandidatit demokrat, Joe Biden.
Sejdiu është shprehur i bindur se Biden do të përmbushë objektivat përgjatë këtij mandati presidencial. Ish-kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës këto komente i ka bërë në llogarinë e tij në ‘Facebook’.
“Populli amerikan ua dha besimin që e kërkuat. Jam i bindur se do të përmbushni objektivat Tuaja në këto kohë të sfidave të mëdha”, ka shkruar Sejdiu.
Ai ka rikujtuar edhe dekorimin e ish-nënpresidentit amerikan me “Medaljen e Artë të Lirisë” përgjatë kohës sa Sejdiu po shërbente si president i Kosovës.
“Ndihem me privilegj që në cilësinë e Presidentit të vendit tim Ju akordova “Medaljen a Artë të Lirisë”. Ky ishte vlerësim i sinqertë i popullit të Kosoves për kontributin Tuaj për Lirinë tonë! Zoti ju bekoftë! Zoti i bekoftë SHBA!”, ka shkruar tutje ish-diplomati kosovar.