Krerët e opozitës janë takuar sot ndaras me emisarin amerikan, Alexander Kasanof, i cili po qëndron në vizitën e parë zyrtare në Kosovë që nga marrja e këtij posti.
Për takimin fillimisht ka njoftuar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Haradinaj tha se mbështetja e fuqishme e SHBA-së ndaj popullit të Kosovës vazhdon përkundër vështirësive të panevojshme që siç tha ai i ka shkaktuar qeveria Kurti.
“Sot në ambasadën amerikane takuam Zv. ndihmës Sekretarin e Shtetit, z. Alexander Kasanof. Shfrytëzova rastin që në takim t’i falënderoj z. Kasanof dhe Ambasadorin z. Hovenier për angazhimin e tyre ndaj Kosovës. Mbështetja e fuqishme e ShBA-së ndaj popullit të Kosovës vazhdon përkundër vështirësive të panevojshme që i ka shkaktuar qeveria. E vetmja rrugë për të arritur synimet tona si shtet, është bashkëpunimi dhe partneriteti me SHBA-të, si aleati ynë strategjik dhe i përjetshëm”, shkroi Haradinaj.
Për takimin me Kasanof ka njoftuar edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Krasniqi tha se në takim ritheksoi nevojën e shtetit të Kosovës për bashkërendim të qëndrimeve me aleatët tanë strategjikë, e veçanërisht me SHBA-në.
“Në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së bashku me Bedriun dhe Vlorën, takuam Zëvendësndihmës Sekretarin e SHBA-së, Alexander Kasanof. Bashkë diskutuam për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon.
Në takim ritheksova nevojën e shtetit të Kosovës për bashkërendim të qëndrimeve me aleatët tanë strategjikë, e veçanërishtë me SHBA-në. Kosova, si një storie suksesi është rezultat i bashkëpunimit të mirë dhe partneritetit të besueshëm me miqtë e saj.
Zëvendësnihmës Sekretarin Kasanof e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në fuqizimin shtetit tonë. Edhe e ardhmja nuk duhet të jetë ndryshe, përveçse një rrugëtim i përbashkët drejt sukseseve të reja”, shkroi Krasniqi.
Për takimin me Kasanof nuk ka njoftuar edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në këtë takim Avbdixhiku ka ngritur si shqetësim raportin e dëmtuar të Qeverisë së Kosovës me SHBA-në dhe partnerët e tjerë strategjikë dhe të sigurisë.
Abdixhiku i ka thënë zyrtarit të lartë amerikan se nëse LDK do të drejtojë Qeverinë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, do të jetë prioritet riparimi i raporteve me SHBA.
“Kryetari Abdixhiku e siguroi z. Kasanof se, me formimin e qeverisë së re, të drejtuar nga LDK-ja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, riparimi i këtyre raporteve do të jetë çështje e prioritetit më të lartë”, ka shkruar Abdixhiku.