Të paktën 15 afganë kanë vdekur dhe më shumë se dhjetë të tjerë janë lënduar gjatë një tollovie të krijuar afër një konsullate të Pakistanit në Afganistan, ku njerëzit kishin shkuar për të kërkuar viza.
Sohrab Qaderi, anëtar i këshillit provincial në qytetin lindor, Jalalabad, tha se 15 persona vdiqën në këtë incident, ndërsa 11 gra e disa zyrtarë u lënduan, shkruan Reuters.
Dy zyrtarë të tjerë provincialë thanë se mbi 3.000 afganë ishin mbledhur për të marrë aplikacione që nevojiten për sigurimin e vizës për udhëtime në Pakistan.
Zyrtarët e Ambasadës së Pakistanit në Afganistan nuk kanë qenë menjëherë të qasshëm për koment në lidhje me këtë rast.
Ndryshe, shumë afganë vendosin të largohen nga vendi për shkak të konfliktit të gjatë dhe kushteve të rënda ekonomike. Ata shpesh angazhohen si punëtorë sezonalë në vendet e rajonit.