Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) së Kosovës ka paralajmëruar Qeverinë e re në ardhje se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre do të hyjnë në grevë, raporton Front Online.
Në një përgjigje për Front Online, kryetari i sindikatës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se po presim krijimin e institucioneve të reja, kryeministrin e ardhshëm dhe ministrin e arsimit që t’i adresojnë kërkesat e tyre.
“Në përgatitjet që po bëjmë që të kemi një platformë të takimeve me kryeministrin e ardhshëm dhe ministrin e arsimit që t’i paraqesim tri kërkesat tona bazikë” ka thënë Jashari për Front Online.
Jasharaj ka treguar se cilat do të jenë tri kërkesat e tyre.
Një ndër to, sipas Jasharaj është edhe Ligji për Sigurime Shëndetësore për punonjësit e arsimit.
“Përmirësimi i kushteve në institucionet arsimore, sepse nuk janë kushte të përshtatshme, shkollat tona duhet t’i ngjajnë shkollave të shteteve fqinje. Qeveria e re të formojë një komision dhe se bashku më neve sindikatën të dialogojmë dhe t’i heq vërejtjet që i ka bërë Kushtetuesja dhe të fillojë të implementohet Ligji i Pagave. Ligji për Sigurime Shëndetësore i cili është aprovuar nga Parlamenti, por asnjëherë nuk është dhënë në jetë, dhe se situata me COVID-19 po tregon se trajtimi i punëtorëve të arsimit të prekur me virus po është shumë i kushtueshëm”, tha Jashari.
Jasharaj tha së këto kërkesa nuk janë si kërcenim, por paralajmërim për Qeverinë e re.
E në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh, ai ka thënë se do të hyjnë në grevë./Front Online/