Drejtues të SBASHK-ut kanë vlerësuar se punëtorët arsimor në të gjitha nivelet e arsimit janë shembull i angazhimit e përkushtimit dhe se momentalisht është një situatë stabile në institucionet arsimore dhe se procesi mësimor në përgjithësi ka rrjedhë të mbarë.
SBASHK nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se situata e krijuar nga pandemia kudo në botë ka bërë që edhe 5 Tetori-Dita Botërore e Mësuesit të shënohet ndryshe nga vitet tjera.
Internacionalja e Arsimit (EI) ka zgjeruar SBASHK-un dhe gjithë sindikatat tjera, që përfaqësojnë 32 milionë mësimdhënës nga e tërë bota që të zhvillojnë takime solemne e aktivitete nga larg për t’u bërë të hënën nga një aktivitet të përbashkët 24 orësh me kyçje në platforma të ndryshme me qëllim të krijimit të atmosferës së përbashkët festive, por edhe për të këmbyer informacione e vlerësime për situatën aktuale me udhëheqës të lartë të EI-së dhe me njerëz eminentë të arsimit nga shtete të ndryshme të botës.
Duke u bërë pjesë e këtyre aktiviteteve kushtuar 5 Tetorit, SBASHK-u ka mbajtur takim solemn nga larg me anëtarët e Këshillit Drejtues, që është organi më i lartë mes dy kongreseve dhe që përfaqëson gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit nga çerdhet e deri edhe në Universitete.
“Në këtë takim kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj duke ua uruar këtë festë gjithë të punësuarve në arsim, foli për 5 Tetorin dhe Betimin e mësuesit dhe për angazhimet e sindikatave në mbrojtjen e figurës së mësuesit dhe në procesin mësimor, që kudo në botë është vështirësuar shumë për arsye të pandemisë nga Covid-19. SBASHK-u ka shpërndarë në shumë adresa elektronike mesazhin dhe posterët e EI-së lidhur me këtë datë të rëndësishme për arsimin. Duke bërë një vlerësim se si po e gjen arsimin në Kosovë ky 5 Tetor, kryetari Jasharaj, por edhe koordinatori për organizim të brendshëm Ymer Ymeri, kryetari i Sindikatës së Universiteteve Bardh Bardhi dhe pjesëmarrës të tjerë kanë vlerësuar se punëtorët arsimor në të gjitha nivelet e arsimit janë shembull i angazhimit e përkushtimit dhe se momentalisht kemi një situatë stabile në institucionet arsimore dhe se procesi mësimor në përgjithësi ka rrjedhë të mbarë. U tha se edhe viti akademik besohet se do të jetë i mbarë falë angazhimeve të studentëve dhe personelit arsimor e administrativ atje. Ishte qëndrim i përbashkët se SBASHK-u do të vazhdojë me përkushtim, angazhimet dhe arritjet në shërbim të anëtarësisë dhe se të hënën shumë nga punëtorët e arsimit të Kosovës do të jenë të kyçur në aktivitetet e Internacionales së Arsimit për të shënuar Ditën Botërore të Mësuesve”, thuhet në njoftim.