Serbia në mënyrë të organizuar ka bashkëpunuar dhe ka dorëzuar dokumente në Gjykatën Speciale të Hagës kundër pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përveç ish-prokurorit Dragoljub Stankoviç, dokumente dhe fotografi në adresë të Hagës ka dorëzuar edhe ish-ministri i Drejtësisë së Serbisë, Vladan Batiq, shkruan Kosovo Online.
Një gjë të tillë e ka thënë avokati serb, Pedrag Saviq, duke treguar në detaje se materiali i dërguar nga ministri serb në Hagë përmban më shumë se 50 mijë faqe dokumente dhe dhjetëra mijëra fotografi.
Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Serbisë ua përcolli dokumentet tek Zyra e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara.
Batiç, sipas avokatit Saviq, kërkoi procedurimin digjital të kompletimit të dokumenteve, të cilat më pas u përcollën në Zyrën e Prokurorisë së Hagës, me kërkesën e tij.
“Sidoqoftë, meqë kemi qenë në dijeni se ata (Kosova) nuk do arrijnë të bëjnë asgjë lidhur me këtë, çdo gjë u dërgua në Zyrën e Prokurorisë së Serbisë për Krime Lufte dhe Zyrës Shtetërore të Prokurorisë të Serbisë, në mënyrë që të vazhdonin hetimet kundër UÇK’së”, tha Saviq, ish-asistenti i ministrit të apostrofuar.
Ai shpjegon se ishte e sigurt që tribunali do ta refuzonte dëshminë e supozuar nga pala serbe.
Dokumentacioni për të cilin flet Saviq përmban dosje nga gjykatat serbe.
“Më shumë se 10,000 fotografi u ishin dërguar atyre nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Saviq.
Express ka raportuar se Prokuroria e Serbisë ka ndihmuar Prokurorinë Speciale të Hagës për ngritjen e aktakuzave kundër ish-anëtarëve të UÇK’së edhe më herët. Këtë e kishte konfirmuar personi që ka qenë i përfshirë direkt në bashkëpunim me Hagën, Dragoljub Stankoviç.
Stankoviq i cili tashmë është prokuror në pension, ka treguar se i ka lejuar hetuesit e Hagës që të intervistojnë qindra dëshmitarë në Serbi.
“Detyra ime ishte të gjeja dëshmitarë, të inkurajoja ata dhe t’i bindja të jepnin deklarata për Prokurorinë Speciale. Unë s’kam marrë pjesë në intervista dhe nuk e di se kënd e kanë marrë në pyetje si dëshmitarë apo viktimë”, ka thënë Stankoviç.
Stankoviç ka thënë se i ka inkurajuar serbët që të flasin pasi sipas tij një gjë e tillë është e mirë për Serbinë.
Aktualisht si të akuzuar në Hagë gjenden, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hysni Gucati e Sali Mustafa.