Përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Supreme e cila ka lënë jashtë listës së kandidatëve për deputetë, liderin e saj Albin Kurti.
Sallahu përmes një statusi në Facebook ka thënë se Gjykata Supreme hedh poshtë të gjitha vlerësimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me pamundësinë e kandidimit.
“Ajo që nuk ishte dashur të bëj Gjykata Supreme, kishte të bënte me përuljen ndaj kundërkushtetutshmërisë së një veprimi të Gjykatës Kushtetuese që eliminon politikisht persona me peshë të jashtëzakonshme politike për të qenë pjesë e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare”, ka shkruar Sallahu.
Sipas tij, Gjykata Supreme me këtë vendim ka konfirmuar se neni 100 i Kodit Penal të kohës nuk prodhon asnjë pasojë juridike për vepra të caktuara penale në kuptim të ndalimit të fitimit të së drejtës kushtetuese për tu zgjedhur, ligji për Zgjedhje nuk është lex specialis në raport me nenet përkatëse të Kodit Penal të kohës, ligji për Zgjedhje duhet të zbatohet përshtatshmerisht me nenet përkatëse të Kodit Penal të kohës dhe se ligji për Zgjedhje, konkretisht neni 29 par.1 pika q) nuk prodhon pasoja juridike të veçuara nga neni 100 i Kodit Penal të kohës.
Ai ka thënë se Gjykata Supreme ka qenë e ndikuar politikisht dhe se turpi i saj nuk do të harrohet.
“Turpi i juaj nuk do të harrohet, jo pse keni pasur të drejtë, por që keni qenë të ndikuar politikisht”, ka shkruar Sallahu./FrontOnline/