Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, është deklaruar rreth luftës së UÇK-së në paraqitjen e sotme në Dhomat e Specializuara. Ai është deklaruar i pafajshëm për të katër pikat të cilat ia ka lexuar gjyqtari i speciales.
Ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, në fjalën e tij para gjykatësit në Dhomat e Specializuara ka bërë thirrje te drejtësia ndërkombëtare që kësaj gjykate t’i zgjerohen kompetencat për të hetuar e gjykuar krimet të cilat i ka bërë Serbia në Kosovë.
Ai ka thënë se beson që këto dhoma nuk do të ndikohen nga politika vendore e ndërkombëtare për qërim hesapesh dhe se nuk do të përdoret kundër qytetarëve të Kosovës.
Fjalimi i Mustafës në Gjykatën Speciale.
“Duke dashur të besoj që këto dhoma të specializuara nuk do të ndikohen nga politika vendore apo ndërkombëtare por as nga interesa për qërim hesapesh, duke dëshiruar që këtë gjykate armiqtë e shtetit tim nuk do të mund ta përdorin kundër shtetit e qytetarëve tanë. Duke i përbuzur ata individë ndërkombëtarë që për interesa të ngushta politike po godasin themelet e lirisë tonë, luftën e drejtë të UCK-së dhe po tentojnë t’i kryqëzojnë luftëtarët e lirisë duke bërë punën e Luciferit, përderisa lakmia dhe interesat e ngushta ua kanë turbulluar mendjet, sytë ua kanë verbuar nga urrejtja dhe inatet, e shpirtin ia kanë shitur djallit. Për këtë kategori nk po gjej më fjalë për të shprehur, sesa fjalët hyjnore të Jezu Krishtit, në momentin e kryqëzimit kur thotë fali o Zot se nuk po e dinë çka po bëjnë”, ka thënë ai.