Safet Gerxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike, për FrontOnline ka deklaruar se një nga dëmet më të mëdha që i është shkaktuar ekonomisë së Kosovës vitet e fundit ka qenë mungesa e një dialogu të mirëfilltë publiko-privat.
‘’Njëra ndër dëmet që ju ka bërë ekonomisë së Kovës viteve të fundit ka qenë mungesa e një dialogut të mirëfilltë publiko-privat e më e rrezikshme se kjo mungesë ka qenë mungesa e investimeve kapitale në të cilat pjesëmarrje direkte kishte me pas sektori privat dhe përmes implementimeve të këtyre projekteve kishin me u gjeneru efekte pozitive qoftë në tregti, punësim dhe të tjera’’, thotë ai.
Sipas Gerxhaliut, shumë biznese kanë mbetur të varura nga bankat komerciale, të cilat kanë arritur fitime të mëdha gjatë këtyre viteve. Ai ka apeluar që qeveritë e ardhshme të kenë parasysh rëndësinë e një dialogu të hapur dhe produktiv ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, për të stimuluar rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.
‘’Mirëpo një qasje të tillë e ka ngufatë ekonominë dhe si pasojë e mos realizimit të projekteve kapitale bizneset shumica janë të mbyllura dhe adresa e vetme ka mbet për to drejt bankave komerciale. Bankat kanë fituar shumë gjatë këtyre viteve pasi sektori privat ka qenë i ngulfatur. Qeveritë e ardhme duhet ta kenë parasysh rëndësinë e dialogut’’, deklaroi Gërxhaliu për FrontOnline.