Trupat ruse kanë zbarkuar në enklavën malore të Nagorno-Karabahut pas marrëveshjes së Armenisë dhe Azerbajxhanit, të ndërmjetësuar nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin. Kështu u është dhënë fund luftimeve të fundit prej gjashtë javësh në territorin azer, të kontrolluar deri tani nga forcat e Armenisë dhe armenët etnikë.
Sipas marrëveshjes, Azerbajxhani do të ruajë kontrollin territorial në zonën e luftimeve, përfshirë qytetin e dytë më të madh të rajonit, Shushi, transmeton KOHA shkrimin e Reuters.
Armenia është pajtuar që të tërheqë trupat e veta deri më 1 dhjetor. Putini ka thënë se tashmë është trasuar rruga për marrëveshje përfundimtare me të cilën do t’i jepej fund konfliktit që kishte shpërthyer më 1994 pas prishjes së Bashkimit Sovjetik. Marrëveshja e re ka shkaktuar reagim në Armeni, me protestuesit që kanë hyrë në parlament, duke shkatërruar edhe zyrën e kryeministrit.
Qeveria armene ka thënë se nuk kishte mundësi të arrihej një marrëveshje me të cilën do të mund të ishin të kënaqur armenët. Armenia është pajtuar që të tërheqë trupat nga disa prej rajoneve ku mori kontrollin gjatë luftimeve të shtatorit dhe tetorit.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka bërë të ditur se rreth dy mijë ushtarë do të vendosen në rajonin e trazuar. Trupat ruse do të marrin përsipër edhe kontrollin në korridorin Laçin, që lidh Armeninë me kryeqytetin e Nagorno-Karabahut.
Turqia gjithashtu do të jetë pjesë e procesit paqeruajtës, ka bërë të ditur presidenti azer, i cili i është bashkuar Putinit në adresim.
Ndryshe nga fryma rebeluese në kryeqytetin armen, Jerevan, në atë azer, Baku, qytetarët kanë dalë rrugëve për të festuar pas marrëveshjes. Azerët kanë valuar flamujt, duke e konsideruar ujdinë fitore për vendin e tyre pas një lufte të gjatë. Qytetarët kanë brohoritur thirrje patriotike dhe kanë kënduar himnin kombëtar. Presidenti Alijev e ka quajtur historike marrëveshjen, duke e vlerësuar si “kapitullim të Armenisë”. Deri tani konflikti ka lënë mbi tridhjetë mijë të vrarë.