Gjatë 24 orëve të kaluara, në Rusi u regjistruan 28.145 raste të reja të koronavirusit, që është shifra më e lartë prej fillimit të pandemisë.
Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 554 të vdekur. Ndryshe nga numri i të infektuarve, shifra e viktimave shënoi rënie në krahasim me një ditë më parë, shkruan The Guardian.
Pas rasteve të reja, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Rusi shkoi në mbi 2 milionë e 375 mijë, që është një ndër shifrat më të larta në botë. Më shumë raste se Rusia kanë vetëm Shtetet e Bashkuara, India dhe Brazili.
Në anën tjetër, numri i përgjithshëm i viktimave është 41.607, që është shifër shumë më e ulët se në shtetet me më së shumti të infektuar.
Ndryshe, presidenti rus, Vladimir Putin, i ka urdhëruar zyrtarët rusë këtë javë që t’i marrin masat për fillimin e vaksinimit masiv të popullsisë, pavarësisht se efikasiteti i vaksinës ruse është vënë në pikëpyetje.