Rusia i ka regjistruar 317 viktima të koronavirusit për një ditë, që është shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë.
Kështu, numri i përgjithshëm i rasteve fatale të pandemisë në shtetin më të madh në botë shkoi në 24.952, që megjithatë është shumë më i ulët se në Shtetet e Bashkuara, Indi e Brazil.
Përpos të vdekurve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 15.700 raste të infektimeve dhe shifra e përgjithshme e personave të infektuar shkoi në 1.447.335, që është një ndër më të lartat në botë.
E në Evropën Qendrore, rekorde të rasteve ditore të koronavirusit kanë shënuar Polonia dhe Sllovakia, shkruan The Guardian.
Në Poloni, gjatë 24 orëve të kaluara u regjistruan 10.040 raste, mbi dy mijë më shumë se në Gjermani, që ka numër shumë më të madh banorësh. Rekord i rasteve u shënua edhe në Sllovaki.