Ish-bashkëpunëtori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë në Shtetet e Bashkuara, Edward Snowden, ka marrë leje të përhershme banimi në Rusi, njoftoi avokati i tij.
Snowden është duke jetuar në Rusi që nga viti 2013, kur kishte arritur t’i shmangej ndjekjes penale në Shtetet e Bashkuara pas publikimit të dokumenteve të klasifikuara, të cilat përmbanin hollësi të programeve qeveritare për vëzhgim.
“Sot, Snowdenit i është dhënë leja e qëndrimit për kohë të pakufizuar”, tha avokati i tij rus, Anatoly Kucherena, për agjencinë shtetërore të lajmeve, Tass.
Avokati njoftoi se kërkesa për leje të përhershme është dorëzuar në prill, por autoritetet patën nevojë për më shumë kohë për shqyrtimin e saj për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe masave kufizuese.
Ai shtoi se amerikani Snowden pati mundësi t’i marrë të drejtat për qëndrim të përhershëm falë ndryshimit të ligjeve ruse për migrimin që u bë vitin e kaluar, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Kucherena gjithashtu tha se klienti i tij tash për tash nuk është duke e shqyrtuar mundësinë që të paraqesë kërkesë për shtetësi ruse.
Snowdeni, i cili nuk është shfaqur shumë në jetën publike në Rusi, kohë pas kohe e ka kritikuar qeverinë ruse për politikat qeveritare rreth rrjeteve sociale, vitin e kaluar tha se ka vullnet të kthehet në ShBA, nëse i garantohet gjykim i drejtë.