Rusia dhe Ukraina kanë shënuar shifra rekorde të rasteve ditore me koronavirus, duke dhënë shenjë se situata e pandemisë në Evropën Lindore, njësoj si në pjesët tjera, vetëm po shkon duke u rënduar.
Gjatë 24 orëve të kaluara, në Rusi u regjistruan 22.702 raste të reja të koronavirusit, që është shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë. Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 391 të vdekur.
Me mbi 1.9 milionë raste gjithsej, Rusia është në mesin e vendeve më të prekura në tërë botën, bashkë me Shtetet e Bashkuara, Brazilin, Indinë dhe Francën.
Sidoqoftë, me 32.834 viktima zyrtarisht deri më tani, Rusia ka shkallë dukshëm më të ulët të vdekshmërisë se disa shtete të mëdha si Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe India.
Në Ukrainë, gjatë 24 orëve të kaluara u regjistruan 12.524 raste, që gjithashtu është shifër rekorde prej fillimit të pandemisë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Ukraina gjithsej ka mbi 525.176 raste të personave të infektuar dhe 9.508 raste fatale nga sëmundja COVID-19.
Të hënën, nga virusi i ri u prek edhe presidenti i këtij shteti, Volodymur Zelenskiy, ndërsa të enjten u njoftua se ai është dërguar në spital.