Impulsi spekulativ për disa produkte e ka çrregulluar tregun.
Dhe sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili e thotë këtë, kjo duhet të eliminohet në mënyrë që të mos dëmtohet edhe më konkurrenca e lirë dhe konsumatori.
“Nuk mund të flasim se cila është pjesa e elementit spekulativ brenda zinxhirit, por ka elemente të tilla. Kjo mund të vërehet nga ndryshimi brenda natës i çmimeve të produkteve si, vaji. Nëse veprohet me këtë avaz me veprime që të dalin jashtë ofertës dhe kërkesës duhet ndërhyrje e institucioneve në mënyrë që të kthehen gjërat në binarët e tregut”, është shprehur Rukiqi nëKlan Kosova FM.
Ai ka theksuar se duke qenë admirues i ekonomisë së lirë të tregut nuk do të parapëlqente këtë ndërhyrje. Por që sipas tij është e nevojshme që të kalohet situata.
“Duhet të shihet se sa mund të jetë një margjinë normale e fitimit, ose sa ka qenë mesatarja e fitimit në muajt e kaluar dhe e njëjta të përllogaritet. Çfarëdo që e tejkalon atë, përfshirë edhe rritjen e kostove në ditët e fundit, mund të kufizohet edhe të vendoset… në situata të tilla duhet me vendos ndoshta edhe çmime tavan”.
“Kur them çmime tavan, them për një periudhë të caktuar kohore. Nuk do të thotë që të mbetet krejt ciklin, por vetëm në këtë situatë të jashtëzakonshme”.
Rukiqi ka thënë se kosovarët nuk kanë nevojë të krijojnë stoqe ushqimi.
“Atë që po e shohim ne mund të krahasohet me vendin ku ka luftë [Ukrainën]. Nuk e kemi situatën e luftës që të sillemi kësisoj dhe të grumbullojmë stoqe”.