Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari ka thënë se gjendja në këtë komunë sa i përket pandemisë së COVID-19 është mjaft e rëndë.
“Për fat të keq në dy javët e fundit kemi pasur dhjetëfishim të numrit të infektuarve. Po ashtu kemi edhe vdekje nga kjo sëmundje. Në territorin e Komunës së Podujevës kemi 343 raste aktive. Mostrat janë dhënë edhe për 167 persona që nënkupton se në ditët në vijim mund të ketë rritje të numrit të qytetarëve të prekur me coronavirus nga komuna jonë”, tha ai.
Rudari thotë se nga kjo komunë ka pacientë që janë të hospitalizuar por shton se asnjëri prej tyre nuk është i rrezikuar për jetë.
“Deri tani nga Komuna e Podujevës kanë humbur jetën 30 persona”, shtoi ai.
I pari i Podujevës, thotë se masat nuk do të duhej të ashpërsoheshin pasi sipas tij shumë biznese po hasin në vështirësi.
“Bizneset po operojnë me vështirësi. Apeloj te qeveria që masat të mos ashpërsohen por të lehtësohen”.
Rudari thotë se sektori i gastronomisë është buzë kolapsit dhe se të njëjtit kanë nevojë për mbështetje.