Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari, e ka porositur Glauk Konjufcën e Lëvizjes Vetëvendosje, që të merret me fshatin e prejardhjes së tij Konjuhin e Lipjanit dhe jo me zgjedhjet në Podujevë. Pasi, sipas tij, Konjufca vjen si turist në Podujevë dhe nuk ka të bëjë asgjë me Llapin.
Këtë koment kandidati i LDK-së për Podujevën, Nexhmi Rudari, e ka dhënë për Gazetën Express, pasi Glauk Konjufca e ka quajtur atë në emisionin “DPT te Fidani” në T7, eksponent të Agim Veliut, teksa thotë se “mozamakeq për neve nëse në krye të Llapit vjen një kryetar me vegëza të Agim Veliut”.
Sipas Konjufcës, zgjedhjet në Podujevë janë të nivelit nacional e jo lokal, pasi paralajmëron se shumë shpejt do të vijë demarkacioni me Serbinë.
“Zgjedhjet në Podujevë janë të rëndësishme në nivel nacional, konsideroj se qysh na ka ardhë demarkacioni me Malin e Zi, ka me na ardhë demarkacioni me Serbinë, për nja 2-3 vjet mundet me të ardhë demarkacioni me Serbinë… Krejt brezi i Llapit me Serbinë kufizohet, e rrok një brez kufitar i cili e rrok disa kilometra. Konsideroj se Shpejtim Bulliqi, na nevojitet me qenë kryetar i Llapit edhe nga ky aspekt nacional… Nëse e kemi Shpejtim Bulliqin është tjetër tregim, nëse e kemi Nexhmiun, i cili është eksponent i Agim Veliut, kur të vjen puna e demarkacionit, mozamakeq, nëse është një kryetar me vegëza të Agim Veliut. Mozamakeq për neve, jo për Llapin po për Kosovën”, është shprehur Konjufca në “DPT te Fidani”, transmeton Gazeta Express.
E për deklaratën e Konjufcës është shprehur i habitur Rudari duke pyetur, “çka ka të bëjë Glauku me Podujevën?… E po vika Shpejtim Bulliqi me na shpëtu demarkacionin sikurse me Çakorrin a?”, ka thënë të enjten për Express Rudari.
Tutje ai thotë se Konjufca vjen si turist në Podujevë dhe do të ishte më mirë të merrej me Konjuhin e Lipjanit sesa me zgjedhjet lokale të kësaj komune.
“Mas pari Glauku nuk ka të bëjë asgjë me Podujevën, ai nuk është as banor i Podujevës, ai vjen si turist këtu në fushatë. Do të ishte dashtë Glauku me u marrë me Konjuhën atje te Lipjani… Nuk kam ndonjë koment të veçantë, se jemi në fushatë dhe kushdo po deklaron çkado, po sillet si po do, pa e brejtë ndërgjegjja. Është e drejtë e tij me thanë çka të dojë, unë s’kam ndonjë koment për të”, ka thënë Rudari për Gazeta Express.
Sa i përket demarkacionit me Serbinë, Rudari tha se kjo është çështje nacionale dhe jo lokale.
“Kufijtë janë nacionalë, nuk janë komunalë, sigurisht kur të vjen rasti te territori i Podujevës kufiri është i qartë, i njohur dhe i ditur prej të gjithë banorëve me dokumentacion, me kadastër. Nuk besoj që duhet të shqetësohen qytetarët e komunës së Podujevës për këtë çështje”, përfundoi ai.
Zgjedhjet në Podujevë do të mbahen më 29 nëntor, ndërsa gara është fokusuar mes kandidatit të LDK-së, Nexhmi Rudari, dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi.
Podujeva njihet si bastion i LDK-së, por nuk dihet nëse në këto zgjedhje do të ketë ndryshim sa i përket qeverisjes së ardhshme.
Podujeva ka shkuar në zgjedhje pasi ish-kryetari Agim Veliu dha dorëheqje nga ky post për t’u bërë ministër i Punëve të Brendshme.