22 të lënduarit nga aksidenti me autobus në magjistralen Prishtinë-Pejë, kanë marrë trajtim në Klinikën Emergjente në QKUK, ndërsa gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë.
Drejtori i kësaj klinike, Naser Syla, ka thënë për Ekonomia Online se të lënduarit kanë marrë trajtim në emergjencë dhe se gjendja e tyre është stabile.
“22 qytetarë kanë marrë trajtim në Klinikën Emergjente në QKUK. Gjendja e tyre është stabile dhe pas ekzaminimeve, të njëjtit janë liruar për në shtëpi”, ka thënë Syla përmes telefonit.
Kujtojmë që një autobus urban është rrokullisur dhe ka përfunduar poshtë rrugës tek vendi i quajtur “Kroi i Mbretit” në afërsi të Parkut të Biznesit, magjistralja Prishtinë-Pejë.
Për shkak të reshjeve të fundit të borës dhe temperaturave të ulëta, sot gjatë ditës nëpër Kosovë janë raportuar aksidente të shumta e dalje nga rruga të automjeteve.