
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit mesatarisht për 5,3% në nëntor 2025 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa inflacioni mujor ishte 0,4%.
Kjo rritje ka prekur veçanërisht ushqimet bazë, energjinë dhe shërbime të tjera, duke ndikuar drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve dhe kostot e operimit për bizneset.
Krahasuar me muajin nëntor të vitit të kaluar, këtë vit çmimi i energjisë elektrike është rritur për 15.5%.
Ekspertët e energjisë, ekonomisë dhe ish-ministrat paralajmërojnë se rritjet e çmimeve të rrymës, në një ekonomi pa institucione të plota dhe me alternativa energjetike të kufizuara, po e bëjnë situatën ekonomike gjithnjë e më sfiduese për familjet dhe prodhuesit vendorë.
Agim Shahini alarmon: Rritja e vazhdueshme e çmimit të rrymës po shtyn qytetarët drejt varfërisë
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), në një prononcim për “Front Online” ka shprehur shqetësim për pasojat e rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike.
Sipas tij, rritja e çmimit të rrymës do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e varfërisë së qytetarëve.
“Do të ndikojë në rritjen e varfërisë të qytetarëve dhe rritjen e shportës së shpenzimeve konsumues është një nga produktet më esenciale pas ushqimit, ujit e shëndetit”, ka deklaruar Shahini.
Ai përmend disa nga pasojat që i marrin bizneset pas kësaj situate.
“Hupja e fuqisë konkurruese, zvogëlimi i numrit të punëtorëve , ikja e disa bizneseve nga Kosova për të barë kapitalin e vetë jashtë shteti”, tha Shahini.
Shahini gjithashtu kritikoi mënyrën se si është sjellë ZRRE karshi bizneseve.
“Qeveria ja ka dhënë aminin ZRRE-së e tash ajo po sillet siç do vetë”, ka thënë ai për “Front Online”.
Eksperti i energjisë: Për shumicën e familjeve dhe bizneseve faturat e rrymës janë ngarkesë
Pas publikimit të statistikave të ASK-së që tregojnë një rritje prej 15.5% në çmimin e energjisë elektrike, njohësi i energjisë, Lulzim Syla deklaroi për “Front Online” se kjo ngarkesë rëndon familjet dhe bizneset.
Ai thotë se shteti duhet të ndërmarrë disa veprime.
“Rritja prej 15.5% në çmimin e energjisë është ngarkesë për shumicën e familjeve dhe bizneseve. Shteti duhet të vazhdojë dhe të zgjerojë subvencionet për sistemet solar, bateritë dhe çdo zgjidhje që ul konsumin dhe rrit efecientë. Kjo është mënyra më e qëndrueshme për t’i bërë familjet dhe bizneset më të pavarura nga luhatjet e çmimeve dhe për t’i ulur faturat në afat të gjatë”, ka thënë Syla
Syla ka thënë se rritjet e çmimeve duhet të jenë të balancuara.
“Rritjet e çmimeve duhet të jenë të balancuara dhe të shoqëruara me politika që realisht e ulin barrën mbi qytetarët dhe bizneset”, deklaroi Syla për “Front Online”.
Rritja e çmimit të energjisë/ Ish-ministri i Tregtisë: Bizneset në tregun e lirë po përballen me trefishim çmimesh
Rritjen e vazhdueshme të çmimeve të energjisë në Kosovë, e ka vlerësuar si situatë të pafavorshme ekonomike për qytetarët, ish-ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj.
Sipas tij, kostoja e rritur e prodhimit po i ekspozon bizneset vendore ndaj një konkurrence të ashpër me importet.
“Është një situatë jo e favorshme ekonomike për qytetarët dhe disfavor i madh për prodhuesit e Kosovës se është rritë kostoja e prodhimit dhe i nënshtrohen një lloj konkurrence shumë të ashpër me importet që vijnë në Kosovë”, tha ai.
Mulaj shprehet se ardhja e diasporës për festat e fundvitit mund të ofrojë një lehtësim të përkohshëm të situatës ekonomike, por jo një zgjidhje afatgjatë.
“Ardhja e diasporës për festat e fundvitit do ta zbusë pak situatën jo të favorshme ekonomike në vend. Rritja e vazhdueshme e rrymës nënkupton goditje të drejtpërdrejtë jo vetëm për qytetarët por edhe bizneset”, ka deklaruar Mulaj.
Ai paralajmëron se rritja e vazhdueshme e tarifave të energjisë është një goditje direkte edhe për bizneset.
“Bizneseve i janë shkaktuar probleme të jashtëzakonshme sidomos ato që janë nxjerr në tregun e lirë në mënyrë të dhunshme se i ka gjetur të papërgatitura e sot ballafaqohen me trefishim të rritjes së çmimit të energjisë”, theksoi Mulaj për “Front Online”.
Beqiri: Rritja e çmimit të energjisë po e ul fuqinë blerëse dhe po rëndon bizneset
Eksperti i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri vlerëson se rritja e fundit e çmimit të energjisë po e ul fuqinë blerëse të qytetarëve dhe po e rëndon koston e operimit për bizneset.
Ai për “Front Online” tha se kur pagat nuk rriten dhe inflacioni energjetik mbetet i lartë, përballueshmëria e energjisë është sfiduese.
“Kjo rritje po e ul fuqinë blerëse të qytetarëve dhe po e rëndon ndjeshëm koston e operimit për bizneset, veçanërisht ato të vogla. Në kushtet kur pagat nuk po rriten me të njëjtin ritëm dhe inflacioni energjetik mbetet i lartë, përballueshmëria e energjisë po bëhet gjithnjë e më sfiduese për ekonominë e vendit”, thotë Beqiri.
Beqiri vlerëson se dalja në tregun e hapur ka zgjeruar hendekun e varfërisë.
“Dalja e vendit në treg të hapur ka zgjeruar edhe më tej hendekun e varfërisë, duke bërë që konsumatori kosovar të kthehet në tabelë qitjeje të manovrave të rritjes së çmimeve në pothuajse çdo sektor”, ka thënë ai.
Ai shton se Kosova, që prej më shumë se një viti po funksionon pa institucione dhe pa mbikëqyrje efektive.
“Në një realitet ku Kosova prej më shumë se një viti funksionon pa institucione të plota, mungon mbikëqyrja efektive dhe mungojnë alternativat e qëndrueshme energjetike. Si rezultat, qytetarët dhe bizneset mbeten përballë një presioni të vazhdueshëm ekonomik pa mekanizma mbrojtës adekuat”, tha Beqiri për “Front Online”.
Aktualisht Kosova është e para në Ballkan me shkallën e inflacionit në muajin nëntor që ka arritur në 5.3% përderisa në Maqedoninë e Veriut 4%.
Shqipëria ka arritur të mbajë një kosto të ulët të jetesës pasi shkalla e inflacionit është e ngjashme me vendet e BE-së, 2.2%. Në Kosovë çmimet e produkteve ushqimore janë gati dyfish më të shtrenjta se në BE./Front Online