Kohëve të fundit në Kosovë janë shfaqur rastet me riinfektim të koronavirusit.
Në mesin e tyre janë edhe pesë profesionistë shëndetësorë. Kështu ka thënë Xhevat Jakupi që është drejtues i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK.
“Disa prej kolegëve e kanë pasur virusin në fund të muajit korrik dhe është e pamundur të qëndrojë virusi në trupin e njeriut për gjashtë muaj. Unë mendoj që kemi të bëjmë me riinfeksion”, deklaroi ai.
Jakupi beson se janë raste të riinfektimit për disa arsye, sikurse mundësia e paraqitjes së variantit të ri apo edhe mungesa e krijimit të anti-trupave në nivelin e duhur.
Mirëpo për të treguar plotësisht vërtetësinë e riinfektimit, profesori universitar Lul Raka thotë se nevojitet të bëhet një analizë shtesë, ajo e sekuencionimit gjenetik, që tregon nëse pacienti është prekur nga i njëjti virus dy herë, apo nga një variant tjetër.
Përveç këtyre rasteve të cilat janë bërë të ditura tash së fundmi, Klan Kosova lidhur me këtë çështje pati raportuar edhe në fillim të muajit janar ku dy qytetare nga Klina ishin konfirmuar dy herë me virus brenda gjashtë muajve, raporton klankosova.
Megjithatë, infektologu Ilir Tolaj nuk beson në një shifër kaq të lartë të rasteve të riinfektimit me COVID-19 për shkak se edhe në botë rastet e tilla janë me numër të kufizuar.
IKSHPK-ja nuk posedon të dhëna të sakta për rastet e tilla, megjithatë kreu i laboratorit në këtë institucion beson se është një numër i vogël dhe brenda pritshmërive sikurse edhe në botë.