Marilia Mendonça, njëra nga këngëtaret më të popullarizuara në Brazil, ka vdekur në moshën 26-vjeçare nga rrëzimi i aeroplanit me të cilin po fluturonte, thanë zyrtarët.
Katër persona tjerë, përfshirë dajën e saj, producentin e saj dhe dy anëtarë të ekuipazhit, gjithashtu vdiqën në aksidentin që ndodhi në një zonë rurale të rajonit juglindor brazilian, Minas Gerais.
Autoritetet braziliane i kanë nisur hetimet për ta zbuluar shkaktarin e rrëzimit të aeroplanit, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Fituese e Grammy-t latin në vitin 2019, Mendonça u bë e famshme duke u përqendruar në përvojat e grave me marrëdhënie të dështuara.
Një nga emrat më të mëdhenj të muzikës braziliane të njohur si “sertanejo”, Mendonça e filloi karrierën si adoleshente dhe u bë yll kombëtar në vitin 2016 me një hit. Ajo njihej edhe si “mbretëresha e vuajtjeve”.
Mendonça, e cila la një djalë dyvjeç, kishte planifikuar që të performonte në një koncert të premten në mbrëmje një qytetin Caratinga, vetëm 12 kilometra larg vendit të rrëzimit të aeroplanit.