Të paktën një atentator në Vjenë ishte i njohur për policinë austriake. 20-vjeçari i vrarë të hënën (2.11) në vendin e sulmeve ka qenë i njohur për organet e sigurisë, sepse ai disa herë është përpjekur të shkojë të luftojë në radhët e të ashtuquajturit Shteti Islamik. Por duket se atuoritetet nuk kanë besuar se ai mund të përfshihet në një sulm terrorist në Austri.
Ndryshe është gjendja me 627 persona, sipas të dhënave nga 1 shtatori 2020, që nga autoritetet e sigurisë në Gjermani renditen në radhët e personave që mund të ushtrojnë akte terroriste. Ndër ta është edhe 20-vjeçari nga Siria, Abdullah al-H., i cili me 4 tetor në Drezden sulmoi një çift homoseksual me thikë duke i plagosur rëndë. Një prej burrave ka vdekur pak më vonë.
Autoritetet gjermane pohojnë se rreziku në Gjermani “mbetet në nivel të lartë”. Gjermania edhe më tej është në listën e vendeve që konsiderohen si shënjestër e mundshme e organizatave terroriste. Në fillim të korrikut u publikua një raport për vitin 2019, ku thuhet se autoritetet kanë evituar disa sulme terroriste.
Si tepër të rrezikshëm konsiderohen personat dhe individët e motivuar nga organizatat terroriste, sepse kontrollimi i tyre është shumë i vështirë.
Çfarë do të thotë person me rrezikshmëri?
Person me rrezikshmëri është një nocion i futur në përdorim nga forcat e sigurisë, me të cilin përshkruhen personat të cilët potencialisht mund të kryejnë vepra të dhunshme me motive politike. Autoritetet e sigurisë nuk mund të arresojnë personat e tillë, deri sa ata nuk mund të fajësohen me vepra konkrete të dënueshme me ligj.
Por ndërkohë vet anëtarësia në një organizatë terroriste konsiderohet si vepër penale. Ndalohet me ligj edhe përgatitja dhe mbështetja e një vepre penale, ku mund të përfshihen edhe veprimet e këtyre personave.
Personat me rrezikshmëri dhe “personat relevantë”
Karshi personave me rrezikshmëri në Gjermani ka edhe rreth 500 “persona relevantë”, të cilët janë në shënjestër të autoriteteve të sigurisë. Këta mund të jenë persona udhëheqës, mbështetës apo persona të tjerë që veprojnë përbrenda spektrit terrorist dhe për të cilët dyshohet se mund të mbështesin apo organizojnë ndonjë sulm. Ndër personat relevantë janë edhe shoqëruesit e personave të rrezikuar dhe ata që mbajnë kontakte me ta.
Në mesin e rreth 300 personave të kthyer nga Siria në Gjermani, me 1 korrik, si të rrezikuar janë radhitur 109, ndërsa 90 si “persona relevantë”.
Qeveria federale pohon se terrorizmi islamik në Gjermani ka një potencial prej rreth 30.000 personash të cilët në forma të ndryshme mund ta mbështesin atë. Rreth 12.000 prej tyre vijnë nga skena salafiste.
Si mund të veprohet me ta?
Çdo person me rrezikshmëri analizohet në veçanti nga autoritetet e sigurisë dhe më pas merren masat e caktuara ndaj tij. Policia nuk jep shumë detaje për masat që ndërmerren kundër këtyre personave. Por ndër masat janë mbikqyrja, kontrollet e deri tek mbikqyrja tërë kohën nga autoritetet policore e këtyre personave, që kushton shumë. Autoritetet thonë se për një person me rrezikshmëri, i cili duhet të mbikqyret tërë kohën, nevojitet angazhimi i 25-30 policëve. Ndaj kjo masë parashikohet vetëm për personat me rrezikshmëri.
A dëbohen personat me rrezikshmëri?
Pas sulmeve terroriste gjithmonë hapen debatet për mundësinë e dëbimit të personave për të cilët dyshohet se mund të kryejnë ndonjë sulm terrorist. Si për shembull, pas sulmit terrorist në Dresden, kur ministri i Brendshëm, Horst Seehofer kërkonte krijimin e mundësisë për dëbimin e personave me rrezikshmëri.
Por për dëbimin e këtyre personave duhet të plotësohen edhe disa kushte, ndonëse në përgjithësi mund të thuhet se kjo është e mundshme. Prej vitit 2017 deri në vitin 2019 janë dëbuar 93 persona me rrezikshmëri dhe persona relevantë. Por ky proces është i vështirë dhe i gjatë që dëshmon edhe rasti i terroristit Anis Amri, i cili në Berlin ka vrarë 12 perosna, në dhjetor të vitit 2016. Amri kishte të paktën 14 identitete të ndryshme dhe deri në përcaktimin e identitetit të vërtetë është kërkuar një kohë e gjatë. Kjo ka ndodhur vetëm dy ditë pas sulmit terrorist.
Por shumica dërmuese e personave me rrezikshmëri kanë nënshtetësi gjermane, pra pasaportë gjermane.