Një grabitje nën shkrepjen e armës ka ndodhur sot rreth orës 09:00 në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Me këtë rast është arritur të grabiten një shumë e konsiderueshme e parave nga personi i cili kishte shkuar për t’i deponuar ato.
Rastin për Klan Kosova e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës Agron Borovci.
Borovci tha se policia ka nisur hetimet për identifikimin e të dyshuarit i cili e ka kryer grabitjen.
“Policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes me ç’ rast ka gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë, përderisa kanë filluar hetimet për identifikimin e të dyshuarit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit”.
Klan Kosova mëson se shuma e grabitur është rreth 30 mijë euro.