Shërbimi Spitalor, Klinik e Universitar i Kosovës ia ka dërguar Ministrisë së Shëndetësisë listën e mjekëve që kanë shprehur vullnetin të vaksinohet me vaksinën anti-COVID në Shqipëri.
Kështu ka thënë drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, i cili tha se në bazë të kërkesës ata kanë bërë kriteret për vaksinim dhe kjo listë tashmë është dërguar në MSH.
“Në bazë të kërkesës nga Ministria e Shëndetësisë për të përgatitur një listë prej 50 deri në 100 profesionistëve për t’i dërguar për vaksinim në Shqipëri, ne e kemi përgatitur atë listë. Kriteret kanë qenë të kenë përparësi mjekët infermierët dhe stafi mbështetës, të cilët kanë shërbyer nëpër klinikat COVID të QKUK-së dhe ata nëpër reparte të spitaleve, ku po trajtohen pacientët me COVID. Dje u kemi dërguar shkresa këtyre reparteve dhe klinikave, dhe ashtu si na i kanë dërguar drejtorët përkatës i kemi përcjellë në MSH”, tha Krasniqi.
Dy mjekë, të cilët para dy ditësh kishin shkuar për t’u vaksinuar, nuk kishin mundur të vaksinohen në Shqipëri për shkak se lista të cilën është dashur ta dërgonte MSH-ja atje nuk ishte dërguar.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, deklaroi për Telegrafin se dy mjekë nga Kosova, të cilën shkuan për t’u vaksinuar në Kukës, nuk u është mundësuar të vaksinohen. Ata janë kthyer mbrapsht, pasi nga atje u kanë thënë se po presin listën e mjekëve që janë në vijën e parë të frontit në luftën me koronvirusin, e cila do të duhej t’u dërgohej nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.
Në lidhje me këtë ishte deklaruar edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, i cili tha se janë në pritje të përgjigjes nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës për listën e mjekëve që kanë qenë në vijën e parë të frontit me pandeminë COVID-19 e që janë ftuar të vaksinohen në Kukës.