E mbijetuara e dhunës seksuale ka rrëfyer në emisionin “Përtej Tregimit” me Valentina Ahmetin në Kanal 10 se si ishte dhunuar nga policët serb.
Ajo ka thënë se menjëherë pasi ishte martuar, i kishte ndodhur rasti kur policët serb e kishin tërhequr nga traktori si refugjate, i kishin marrë arin që kishte dhe e kishin therur me thikë, transmeton Portali.info.
“Pasi më kanë tërhequr nga traktori ku ishim me burrin e të gjithë të tjerët, më morën arin që kisha e më dërguan në një vend. Aty ishin disa policë serb, çka s’mkan bo. Dikur më kanë therur në këmbë, më kanë thënë po ta hapim edhe një organ tjetër gjenital. Më ka rënë të fikët e pastaj më hodhën ujë për të më kthjellur”, ka thënë ajo.
Tutje, e mbijetuara ka folur se si burri i saj ishte kthyer në vendngjarje por nuk ka mundur të ndërhyjë, pasi që ajo ka qenë ende në duart e policëve serb.
Megjithatë, pasi që serbët e kanë liruar, ajo ka treguar se ishte nisur duke ecur me këmbën e plagosur deri sa kishte takuar burrin e saj.