“Dhimbja është e pranishme çdo ditë, por bëhet më e fortë gjatë festave”, kështu e ka nisur rrëfimin e tij mjaftë prekës për mungesën e babait të tij, Altini, djali i ish-zëdhënësit të UÇK-së dhe ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili tash e katër vite është duke u gjykuar në Gjykatën Speciale.
Altin Krasniqi ka shprehur dhimbjen e thellë për mungesën e babait të tij, i cili ndodhet në Hagë, duke e cilësuar largimin e tij si një padrejtësi të madhe.
Ai ka theksuar se dhimbja e mungesës është e pranishme çdo ditë, por ajo bëhet edhe më e fortë gjatë ditëve festive, kur të gjithë përpiqen të festojnë, por nuk mund të ndajnë këto momente të lumtura me babain.
Krasniqi me emocione flet për babain e tij, duke thënë se asgjë nuk është e bukur pa të.
“Realisht, mungesa e babit ndihet shumë. Madje edhe në ditët tona më të thjeshta. E përjetojmë rëndë çdo ditë që babi e kalon larg nesh padrejtësisht, por natyrisht që në ditët festive dhimbja peshon më fort. Tani babi është bërë edhe gjysh dhe, kuptohet, do të donim shumë që ai të ishte pjesë e gjirit tonë familjar. Pa babin, asgjë nuk është as e bukur dhe as e plotë”, shprehet Krasniqi.
Krasniqi ka nënvizuar se ai dhe familja e tij gjithmonë festojnë Vitin e Ri duke nisur nga ditëlindja e babait, më 1 janar. Jakup Krasniqi ka lindur më 1 janar të vitit 1951 në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit.
Për familjen Krasniqi, ky moment ka një rëndësi të veçantë, pasi çdo vit kanë vazhduar traditën e urimit të ditëlindjes së babait së pari, para se të festojnë hyrjen në vitin e ri.
“Për fundvit, ne nuk festojmë vetëm Vitin e Ri. Në natën e ndërrimit të moteve, festojmë një datë edhe më të rëndësishme: babai më 1 janar feston ditëlindjen e tij. Këtë vit ai mbush 74 vjeç. Edhe kur babai ishte me ne, ndërsa të gjithë dilnin jashtë për të ndezur fishekzjarrët, ne ndiznim qirinjtë e tortës së ditëlindjes së babit”.
Krasniqi ka rrëfyer me detaje se si pritet Viti i Ri dhe ditëlindja e Jakupit në familjen e Krasniqëve.
“Çdo herë, përpara se të uronim hyrjen në një Vit të Ri, fillimisht kemi uruar ditëlindjen e babit. Këtë traditë e ruajmë edhe sot: Vitin e Ri e festojmë bashkë me tortën që gjithmonë e përgatisim për ditëlindjen e tij dhe fillojmë duke uruar atë. Duke mbajtur gjallë këto momente të bukura, i japim forcë njëri-tjetrit dhe babait, gjë që për ne ka shumë rëndësi”, është shprehur Krasniqi.
Altin Krasniqi: Kur më lindi vajza, ndjeva më së shumti mungesën e babait…
Në mes të gëzimit për lindjen e vajzës së tij dhe mbesës, djali i Jakup Krasniqit, Altini ka shprehur edhe pikëllimin që këto momente të lumtura janë shoqëruar me dhimbjen e thellë për mungesën e babait.
Momentet e bukura po zbehen nga largësia e babait, thotë Altini.
“Mendoj që një ndër momentet kur kam dashur më shumë ta kem babain pranë ka qenë më 10 janar, ditën kur lindi vajza ime, Toska, dhe më 30 gusht, kur lindi mbesa jonë, Odeta. Në këto dy momente, që kanë qenë ndër ditët më të lumtura të jetës sime, bashkë me lotët e gëzimit kam derdhur edhe lot pikëllimi. Është një pikëllim i thellë dhe e dhimbshme që këto momente kaq të bukura të zbehen nga largësia kaq e padrejtë e babit”, rrëfën Altin Krasniqi, djali i Jakupit.
Djali i Jakup Krasniqit: Babai im ka karakter të fortë dhe është i pathyeshëm
Altin Krasniqi kujton se, edhe pse Jakup Krasniqi është një njeri i fortë dhe i pathyeshëm, çdo vizitë e miqve dhe qytetarëve të Kosovës në Hagë ka forcuar moralin e tij dhe i ka dhënë forcë edhe atij dhe familjes për të përballuar këtë periudhë të vështirë.
Vizitat e shumë qytetarëve kanë bërë Jakup Krasniqin të ndjejë një forcë më të madhe brenda tij, thotë Altini.
“Tek ne thonë: “Miku i mirë në ditë të vështirë”. Këto ditë të vështira i kemi ndarë dhe po i ndajmë me miq të mirë, të cilët gjatë këtyre viteve janë kujtuar dhe kujdesur jo vetëm për ne, por edhe për babain. Përveç tyre, një numër i madh bashkatdhetarësh tanë, brenda dhe jashtë vendit, kanë vizituar çlirimtarët në Hagë dhe e kanë mbajtur të lartë moralin e tyre. Megjithëse babai është një njeri me karakter të fortë dhe të pathyeshëm, vizitat e miqve dhe qytetarëve të tjerë, si shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi, kanë bërë që babai të ndjejë një forcë edhe më të madhe brenda tij”, thotë Krasniqi.
Djali i Jakup Krasniqit gjithashtu ka falënderuar ata që kanë mbështetur babanë dhe çlirimtarët e tjerë, duke theksuar se kjo mbështetje është një shenjë mirënjohjeje për lirinë që gëzojnë sot.
“Për njerëzit që kanë mbështetur dhe po mbështesin babain në betejën e tij të fundit për Kosovën, nuk kam mesazh, por kam falënderime. I falënderoj fillimisht sepse, duke mbështetur babain dhe çlirimtarët e tjerë, ata tregojnë mirënjohjen dhe falënderimin e tyre për lirinë që gëzojmë sot. I falënderoj gjithashtu sepse, duke i dhënë forcë babait, ata na japin forcë edhe neve për ta përballuar pak më lehtë këtë sfidë”, shprehet Krasniqi.
Krasniqi: Komunikimi në distancë për 8 muaj për shkak të pandemisë, periudha më e vështirë pas arrestimit të Jakup Krasniqit
Ndërsa ka kujtuar periudhën më të vështirë të jetës, pas arrestimit të babait kur pandemia e kufizoi mundësinë për t’u takuar, djali i Jakup Krasniqit, Altini ka thënë se janë munduar të përfshijnë babain në çdo moment të rëndësishëm të jetës së tyre, përmes videolidhjeve.
Ai kujton se çdo urim dhe moment të rëndësishëm ka nisur gjithmonë nga babai, pavarësisht se ai ishte larg.
“Periudha më e vështirë ka qenë menjëherë pas arrestimit të babait, kur për shkak të pandemisë nuk kemi qenë të lejuar ta takojmë. Komunikimi në distancë ka qenë i vetmi mjet për 8 muaj. Tani bëjmë përpjekje që ta takojmë babain çdo muaj dhe gjatë këtyre viteve kemi bërë gjithçka për ta përfshirë atë në të gjitha festat dhe momentet e rëndësishme familjare. Kemi festuar ditëlindjet, fejesën e motrës dhe shumë gëzime të tjera me të. Përmes videolidhjes, babai ka qenë i pranishëm edhe në ditën e martesës sime, si dhe kur lindën Toska dhe Odeta. Në të gjitha këto raste, urimin e parë e kemi marrë nga babai”.
Djali i Jakup Krasniqit: Babai është hero i gjallë
Djali i Jakup Krasniqit ka shprehur respektin e tij të thellë për forcën e babait, duke e cilësuar atë si një hero të gjallë dhe një njeri që është udhëhequr nga parimet e drejtësisë dhe sinqeritetit gjatë gjithë jetës së tij, duke qenë një shembull i jashtëzakonshëm për të gjithë.
Derisa ka përmendur edhe periudhën e burgosjes së Krasniqit në burgjet e ish-Jugosllavisë.
“Unë kam qenë shumë i ri gjatë luftës. Tani që jam rritur, sidomos në këto 4 vitet e fundit, e kam parë babain në një tjetër pozicion – në atë të një heroi të gjallë. Babai, sa ishte këtu, nuk ka folur kurrë për përjetimet e tij në burgjet e ish-Jugosllavisë, ndërsa tani, përmes rrëfimeve të shumë ish-të burgosurve politikë, kam mësuar shumë për jetën dhe forcën e tij. Kam mësuar se shumë të rinj e të reja, gjatë qëndrimit të tyre në burgjet famëkeqe të ish-Jugosllavisë, forcën e gjenin te babai, sepse ai ishte treguar i fortë dhe i palëkundur edhe gjatë torturave çnjerëzore që kishte përjetuar. Tani, megjithëse ky burgim i dytë është shumë më i padrejtë, babai është po aq i fortë”.
Djali i Jakup Krasniqit, Altini rrëfimin e tij e përfundon duke treguar se çfarë ka mësuar nga babai i tij.
“Gjatë vizitave, shpesh kemi takuar edhe çlirimtarë të tjerë, të cilët na thonin: “Qëndroni të fortë ju, sepse baca Jakup i fortë është, ai na jep forcë edhe neve këtu!” Nga babai kemi mësuar të jemi të drejtë dhe të sinqertë, në radhë të parë me veten dhe pastaj me të tjerët”.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020.