Tafil Strana, nga Mitrovica është ende në kërkim të babait të tij të zhdukur para 21 vjetësh.
Ai thotë se nga data 13 mars 1999, nuk e ka parë më babain e tij.
“Në ora 13:00, më 13 mars 1999. Babai ka dalë në treg, ditën e shtunë. Në ora 14:00 ka shpërthyer granata në Tregun e Mitrovicës. Ato kanë qenë të koordinuara”.
“Babai im ka mundur të jetë i gjallë. Më datë 4 të muajit të gjashtë Marko Jakshiq, ia ka dhënë babait injeksionin, në prezencë të vëllaut, sepse e kam pasur edhe vëllaun e plagosur me babain. Dhe ka thënë bisedo për 15 sekonda me babain, kaq ke kohë. Prej atij momenti babai ka vdekur, në prehër të vëllaut”.
Sipas tij babai pas vdekjes në spital në veriun e Mitrovicës është masakruar.
“Aty e kam pasur edhe vëllaun e plagosur, nënën, vajzën e axhes. Disa herë kanë qitë jashtë për t’i masakruar”.
“Babai ka vdekur në spital në veriun e Mitrovicës. Trupin e pajetë të babait e kanë marrë dhe nuk dihet se ku e kanë dërguar”.
“Sipas vëllaut që e kam pasur aty, babai ia kanë dhënë injeksionin dhe pas vdekjes e kanë marrë dhe e kanë masakruar. Do të thotë pas vdekjes e kanë masakruar. Kufomat nuk dihet. Kemi pasur dyshime se gjendet prapa spitalit tek vendi i quajtur “Pishat””.
“Deri më tani kemi bërë përpjekje për ta gjetur. Nuk kemi lënë vend pa kërkuar. Jemi në kontakt me Bajram Qerkinin, me Qendren Burimore. Unë nuk jam për t’u gjetur vetëm babai im, por jam për t’u kërkuar edhe mbi 1 mijë e 500 që konsiderohet që janë të zhdukur”.
“Ne kemi dyshuar dhe supozojmë që trupat janë prapa sptalit në veri të Mitrovicës. Kemi bërë kërkime. Por, ka persona që po e pengojnë kërkimin”, thotë ai për Klan Kosova.