Nijazi Idrizi, përmes një rrëfimi të jashtëzakonshëm për kohën sa ka kaluar në burg me Jakup Krasniqin, ka këmbëngulur se ai është i pafajshëm nga akuzat e Gjykatës Speciale.
“Ai një gjë kurrë nuk ka mundur ta bëjë: Ta cenoj jetën dhe trupin e njeriut, në asnjë mënyr dhe me asnjë çmim”, ka shkruar Idrizi, në profilin e tij në Facebook.
Ja shkrimi i plotë:
Jakup Krasniqi, njeriu i sprovave të rënda
Jakup,
Të kam parë me pranga në duar kur u takuam ne burgun e Zrenjaninit, kur mes klithmave kërcënuese të gardianëve pyete: “A di kush a shpëtoi i gjallë Hydajet Hyseni”?
Jakupin, pak kush e njeh më mirë se unë, madje as vëllezërit e tij.
Kemi fjetur në shtratin dykatësh, ti poshtë e mua si më të riun, më more aty pranë teje, lart.
Ti kam numruar thinjat e reja kur të dilnin në mëngjes: “Jakup, këtë thinjë nuk e ke pas dje”! – e ti mbyteshe tue qesh.
E di si flet jerum, me bashktingëlloret që nuk i shqiptoje dot e të cilat më shkrinin tue qeshë.
E kujtoj momentin kur i re me bisht fshese derës kur unë digjesha nga temperatura: “Heeej, njeriu po vdes”! – dhe në qetësi e gëlltite kërcënimin e Rakiqit.
Nuk e kam harruar as reagimin tënd kur nën shtratin tim policët e kishin vendosur një shufer hekuri dhe një hartë dhe më akuzuan për arratisje të dhunshme: “E keni gjetur më të riun, po mos harroni, ne jemi me të deri ne fund”!- i the në sy drejtorit të burgut.
Jakup,
E mbaj mend si e mbysje dhimbjen e barkut, për të mos na bërë merak ne që nuk kishim ç’të bënim për të të ndihmuar.
Ti kam parë lotët kur te erdhi lajmi se babin e ke te sëmurë rëndë.
Ti ishe ai që kërkoje ti ndanim me të tjerët të gjitha edhe ato pak ushqime që na i lejonin nga
shtëpia për ta mbajtur shpirtin ne ditet e shumta të javës kur na sillnin thundrra dhe veshë te pistë derri.
Jakup,
Ti ishe ai që na e shihje në sy mërzinë djaloshare dhe na e afroje shahun (edhe mua): “Hajde se kam me të shpartallu”! – edhepse e ke dit që kam me të mund.
Jakup, ti ke dit me bë debat për shumë tema. Shpesh ke dit edhe me ngrit zërin.
Po një gjë nuk ke ditë: me urrejt! Madje as atëherë kur Zhika, (shok i Luba Zemuncit, vrasësit të patriotëve në emigracion), organizoi bashkë me policinë therrjen tonë në gjumë: “Nuk pritet mirë prej tyne”! – vetëm kaq.
Miq,
Arrestimi i Jakup Krasniqi është dështim i parë i drejtësisë së gjykatës tonë në Hagë.
Jakupi mund të ketë bërë gabime, se njerëz jemi, por kurrë veprime qe bien ndesh me ligjin, e per krime mos te flasim, sepse ai nuk ishte dhe nuk eshte njeri i krimeve. Ai një gjë kurr nuk ka mundur ta bëjë: Ta cenoj jetën dhe trupin e njeriut, ne asnje menyre dhe me asnje çmim!
Për këtë e vë dorën në zjarr!
Me bindje të plotë them se nëse ka një zot, atij ska kush çka i bënë. E zot ka dhe ne jemi të qetë.
Mirë se vjen, (së shpejti) në Kosovën tonë, shoku im, për të cilën bëre krejt çka munde!