Spezia siguroi qëndrimin në Serinë A një javë para fundit të kampionatit dhe kontribut për këtë arritje të skuadrës modeste italiane ka dhënë edhe mbrojtësi i Shqipërisë, Ardian Ismajli, i cili ishte i ftuar në “Zona Gol”, në SuperSport, nga gazetari Glend Tafaj.
Dështimi i Milanit ndaj Cagliarit: “Nuk e prisja barazimin e Milanit, pas dy fitoreve të rëndësishme. Ishin në presion dhe kjo bërë që të dështonin. Mbeti për javën e fundit që të vendoset nëse do të kualifikohen në Champions.
Mbijetesa e Spezias: “Spezia ka shkruar historinë në Serie A pasi shumë njerëz në Itali kanë menduar se ne do të biem nga kategoria. Jemi përshtatur shumë shpejt e kjo mendoj se ka qenë çelësi i suksesit për ne. Spezia është për herë të parë në histori në Serinë A dhe na duhen shumë përforcime që sezonin tjetër që të qëndrojmë në elitë. Do të kemi disa ditë pushim, do të grumbullohem me Kombëtaren e pastaj do të rikthehem te Spezia. Nuk është pak të vish nga Kosova të luash në Kroaci e më pas në Serinë A.”
Sezoni i parë në Serie A: “Kam vuajtur shumë duke hedhur hapat në karrierë. Qendrova dy muaj pa stërvitje këtu, por me punë arrita të përshtatesha në Serinë A, që është një nga kampionatet më të forta. Kam punuar shumë e kam duruar shumë për të arritur deri këtu. Bëra një ndeshje të mirë ndaj Interit e që aty filluan ndeshjet e mira.”
Nga futbolli kroat në Itali: “Ndryshon shumë, pasi në Kroaci janë vetëm 4 ekipe të forta, ndërsa kur luan me ekipet e tjera është më e thjeshtë. Në Itali është futbolli taktik dhe shumë i shpejtë, pasi luan përballë sulmuesve më të mirë në botë. Duhet të jesh i përqendruar gjithë kohën, por me punë e arrin çdo gjë.
Përshtatja në mbrojtje: “Nuk e kam problem të luaj me 3 apo me 4 në mbrojtje. Tek Hajduku kam luajtur më shumë në krahun e djathtë se në qendër dhe në Kombëtare si gjysmë mbrojtës krahu. Momenti i mirë është debutimi me Interin dhe kur morën pikën harruam disa gabime që bëmë në fushë”.
Merita e trajnerit: “Ka bërë një histori me Spezia pasi ka marrë një ekip mesatar nga Seria B dhe e ka ngjitur në Serinë A. Ka shumë skuadra që interesohen për të, por me ardhjen e presidentit amerikan ngelet për t’u parë”.
Përballja me “yjet” e Serisë A: “Besoj se Ibrahimovic është më i rrezikshëm, edhe pse është në moshën më të madhe. Lukaku është një sulmues i fortë, ndërsa kundër Ronaldos nuk kam pasur shumë duele të forta. Ibra ka shumë eksperiencë dhe është i vështirë për t’u markuar.”
Kombëtarja Shqiptare: “Emocion i madh, ëndërr e realizuar. Nuk më janë dridhur këmbët si në atë ndeshje para shumë tifozëve shqiptarë në stadium. Nuk kemi bërë shumë ndeshje të mira në këto 3 ndeshjet e fundit, por rëndësi ka që kemi marrë 6 pikë. Mendoj se Anglia do të jetë në vend të parë, do të provojmë fatin tonë ndaj Polonisë dhe Hungarisë, pasi asgjë nuk është e pamundur dhe gjasat janë reale që të arrijmë vendin e dytë”.
Superiorja: “Ka pasur shumë luhatje. Vllaznia ishte shumë pikë para. Kam dëshirë ta fitojë titullin kampion Partizani. Nëse fitojnë me Teutën, kanë shumë shanse. Gjithashtu edhe Teuta ka bërë një sezon të mirë dhe ka lojtarë shumë të mirë. Nëse e fitojnë, do ta meritonin titullin.”/SS/