Ronela Hajati do të na përfaqësojë në Eurovision me këngën “Sekret”. Ajo ka bërë me dije se klipi i këngës do të publikohet në muajin mars.
Dje dhe sot, këngëtarja na ka prezantuar me disa foto ku duken prapaskenat e videoklipit dhe duket se na pret një përfaqësim fantastik.
Çfarë bie në sy janë flokët. Me një bisht të madh horizontal, me bishta të tjerë vertikal të kapur te pjesa horizontale dhe një veshje komplet të zezë, Ronela duket fantastike.
Modeli guximtar që ka zgjedhur këngëtarja sigurisht nuk mund të kalonte pa u vënë re dhe pa u bërë objekt bisede. Faqja Lolita Albania ka përdorur flokët e Ronelës për të krijuar disa meme vërtetë qesharake.
Çfarë të bën përshtypje është se janë shumë pak njerëzit që e kuptojnë sa e rëndësishme është të marrësh vëmendje përmes memeve në rrjetet sociale. Ronela është treguar mjaft pozitive dhe i ka pritur me dashamirësi të gjitha fotot.
“Po vdes,” – ka komentuar ajo në memet e publikuara nga Lolita.
Eurovision 2022 do të zhvillohet në Itali dhe finalja e madhe do të jetë më 14 maj 2022. Klipi i Shqipërisë po punohet nga staf shumë i mirë krijuesish me ide inovative. Vetë Ronela tha në Top Albania Radio se është surprizuar nga puna fantastike e grupit dhe Ledion Liços, i cili po kujdeset për çdo detaj.