“Sekret”, kënga fituese në Festivalin e 60-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin e Eurovizionit, është kthyer në një himn të këtyre ditëve.
Ronela Hajati ka vendosur një rekord përfaqësimi në klasifikimin e Shkurtit në Eurovizion duke ngritur pritshmëritë në eventin që do të mbahet mes 10 dhe 14 Majit në Torino të Italisë.
Artistja ka nisur xhirimet e videoklipit të këngës në jug të vendit, me një mesazh të fortë për ruajtjen e trashëgimisë sonë natyrore. Burime për Top Albania Radio-n kanë konfirmuar se kënga po xhirohet buzë Vjosës, në Bylis.
Një pjesë tjetër e xhirimeve do të mbahen në Gjirokastër dhe Tepelenë. Video e cila do të publikohet në fillim të Marsit në kanalin zyrtar të Eurovizionit do të tregojë disa nga bukuritë më joshëse të Shqipërisë si një kartolinë ftese për të gjithë shikuesit e Festivalit Europian.