Ylli i futbollit portugez dhe një nga lojtarët më të njohur në botë, Cristiano Ronaldo, ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj trajnerit të Manchester United, Erik ten Hag, duke e akuzuar atë për një qasje tepër negative ndaj skuadrës.
Ronaldo, i cili tani luan për Al Nassr në Arabinë Saudite, e përfundoi periudhën e tij të dytë në Old Trafford në fund të vitit 2022, pas një konflikti me Ten Hag.
“Trajneri thotë se nuk mund të garojnë për të fituar ligën ose Champions League. Një trajner i Manchester United nuk mund ta thotë këtë”, ka thënë Ronaldo. “Mund të mos kemi atë potencial, por nuk mund të thuash që nuk do të përpiqemi. Duhet të përpiqesh gjithmonë”.
Ronaldo duke folur për podcastin “Rio Ferdinand Presents” ka vlerësuar United si një nga klubet më të mëdha në botë, por ka theksuar se nevojitet një rindërtim i thellë në strukturat e klubit, përfshirë ndryshime në presidencë dhe infrastrukturë. Ai beson se vetëm në këtë mënyrë klubi mund të rikthehet në nivelet e tij më të larta.
“Për mua, Manchester është ende një nga klubet më të mira në botë, por duhet të ndryshojë shumë gjëra”, ka thënë Ronaldo. “Kam besim se e ardhmja do të jetë e ndritur, por kjo varet nga të gjithë, jo vetëm nga lojtarët, por nga e gjithë struktura e klubit.”/RTK