Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentë të univesiteteve të ndryshme me të cilët ka biseduar për programin e tij zgjedhor.
Haradinaj ka thënë se kjo ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të dëgjuar dhe për të kuptuar njëri-tjetrin.
“Gjatë një bashkëbisedimi të frytshëm me studentë të universiteteve të ndryshme ndamë mendime të hapura mbi sfidat dhe perspektivën e të rinjve. Ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të dëgjuar dhe për të kuptuar njëri-tjetrin. Programi ynë mes tjerash përfshin:
Fond për financim të punësimit të parë të të rinjve;
Harmonizimin e plotë të politikave arsimore, shëndetësore, kulturore, të punësimit dhe të zhvillimit në relacion me gjeneratat e reja;
Identifikimin e talentëve të veçantë dhe trajtimi institucional i karrierës së tyre”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj është zotuar se mbështetja për rininë do të jetë prioritet.
“U zotova se mbështetja për rininë do të jetë prioritet, duke investuar në arsim cilësor, përkrahje për ndërmarrësit e rinj dhe lehtësira për kalimin nga shkolla në vendin e punës. Përkrahja e tyre e sinqertë dhe vizioni i përbashkët për një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht, anëtare e NATO-s dhe një vend të fuqishëm, na japin energji të reja për punën që kemi përpara”, është shprehur Haradinaj.