Fundi i sprovës. Neymar Junior më në fund është rikthyer në fushën e blertë: dje, pas më shumë se një viti mungese, ylli brazilian hyri në lojë në minutën e 77-të në fitoren e Al Hilal në fushën e Al Ain, e vlefshme për Ligën e Kampionëve aziatike.
Një ndeshje e bukur që përfundoi 5:4 për Al Hilal, i cili e pati një festë të dyfishtë, pasi krahas fitores e fitoi edhe yllin e rikthyer, ish-futbollistin e Santosit, Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit, i cili hyri në lojë në vend të Al-Dawsarit, shkruan “Gazeta Express”.
Neymar nuk po luante nga 17 tetori i vitit 2023 kur i ishte këputur ligamenti i kryqëzuar dhe i ishte shqyer menisku i gjurit të majtë gjatë ndeshjes mes Uruguait dhe Brazilit.
“Ndihem mirë, ishte e vështirë”, shkroi Neymar në rrjetet sociale pas lojës.
“Jam vërtet i lumtur që t riktheva dhe që e shijova prapë këtë ndjenjë. Fluturat në stomak para lojës janë gjithmonë të bukura”, përfundoi përfaqësuesi brazilian.