Ish-kampioni i Kosovës në futboll, Feronikeli e ka mbyllur edicionin 2020/21 në elitën e futbollit kosovar në mënyrën më të keqe të mundshme.
Skuadra drenicase që dominonte futbollin e Kosovës para pak vitesh, sivjet mezi e siguroi mbijetesën duke zënë vendin e gjashtë në tabelë, raporton FrontOnline.
Pas përfundimit të edicionit, ka nisur një “revolucion” te Feronikeli, derisa deri më tash tre futbollistët, Përparim Islami, Jean Carioca dhe Besmir Bojku e kanë zyrtarizuar largimin.
Gjithashtu, klubi nga Drenasi duhet të mendojë edhe për shtabin teknik, ku pas shkarkimit të Klodian Duros, skuadra është drejtuar përkohësisht nga Faruk Elshani.
Drejtori i Feronikelit, Artan Berisha në një prononcim për FrontOnline ka deklaruar se shumë futbollistëve iu skadon kontrata në muajin qershor.
“Shumica e futbollistëve mbeten pa kontratë në qershor. Tashmë u mbyll një edicion, i cili ishte shumë i vështirë për ne”, ka thënë Berisha, duke vazhduar:
“Fillimisht do të shikojmë dhe ta zgjedhim çështjen e shtabit teknik e pastaj do të bisedojmë me futbollistët për mundësinë e vazhdimit të kontratave”.
E gjithë kjo, sipas Berishës, varet nga ambiciet e shtabit të ri teknik.
“Normalisht që krejt kjo varet nga shtabi teknik dhe ambiciet që do t’i kemi për edicionin e ardhshëm. Nuk kemi filluar ende bisedimet. Të gjithë kanë kontrata deri më 30 qershor, përveç Islamit, me të cilën kemi ndarë rrugët”, nënvizoi ai.
“Mundësia është e hapur që ne të vazhdojmë em shumicën prej futbollistëve që momentalisht i kemi në dispozicon”, përfundoi të martën për FrontOnline Artan Berisha./FrontOnline/