Rifillimi i reshjeve të shiut shtoi edhe më shumë telashe për banorët e fshatrave të Komunës së Rahovecit. Në këtë komunë, në këto ditë dimrit, pësuan dëme të konsiderueshme në ekonominë familjare disa banorë të Denjës, Çifllakut, Fortesës dhe fshatrave të tjera.
Komuna e Rahovecit thotë se tashmë ka krijuar komisionet e veçanta për të evidentuar dëmet në infrastrukturën publike e ekonominë familjare si dhe për dëmet në bujqësi.
Familja e Endrit Krasniqit nga Denji është evakuuar pasi uji iu fut në shtëpi duke e bërë atë të pabanueshme.
“Në shtëpinë tone, uji shkaktoi dëme jashtëzakonisht të mëdha që na gjunjëzuan. Për çdo vit e kemi kështu. Jemi 10 anëtarë të familjes që jemi evakuuar. Tash shtëpia është e pabanueshme. Këtu vjen rreziku edhe prej rrymës”, tha Krasniqi për RTK.
Si kjo familje, në fshatin Denjë e kanë pësuar edhe 7 familje të tjera.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Rahovecit, Përparim Krasniqi, i tha RTK-së se kanë ndërhyrë në dhjetë fshtara si pasojë e përmbytjeve.
“Kemi intervenuar në shumë zona të Rahovecit. Kemi ndërhyrë në disa fshatra, diku në 10 fshatra. Kemi bërë debllokimin e ujërave dhe kanaleve që kanë qenë pengesë në vërshime”, tha Krasniqi.
Po ashtu, ai tha se tashmë janë ngritur komisionet komunale që do të evdientojnë dëmet nga reshjet.
“Kemi dëme në ekonomi familjare. Komuna e Rahovecit ka krijuar dy komisione për dëme në bujqësi dhe dëme në infrastrukturë publike dhe ekonomi familjare. Komisionet janë në terren dhe shpejtë do të dalim me rekomandime dhe raporte”, vijoi ai.
Rahoveci është njëra ndër komunat që pësoi më së shumti nga reshjet e vazhdueshme të këtyre ditëve.