Reshjet e mëdha të shiut që kanë përfshirë mbrëmë territorin e Kosovës, kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të vendit.
Lidhur me këtë është njoftuar edhe kryeministri në detyrë e Kosovës, Avdullah hoti.
Zyra e kryeministrit përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se Qendra e Situatave e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, është duke e përcjellë nga afër gjendjen në teren.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti është njoftuar nga Qendra e Situatave e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, se është duke e përcjellë nga afër gjendjen në teren, pas reshjeve të orëve të fundit që kanë rënë mbi vendin tonë. Sipas këtij raporti gjendja paraqitet e rënduar me vërshime dhe bllokim të disa rrugëve, ngritje të nivelit të ujit, dalje nga shtrati i disa lumenjve dhe rrëshqitje të dheut për shkak të reshjeve atmosferike”, thuhet në njoftim.
“Mirëpo, situata është duke u menaxhuar me sukses nga mekanizmat lokal, që janë në vend të ngjarjes dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë kërkesë për mbështetje nga Qendra e Situatave e Këshillit të Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit në detyrë, Avdullah Hotit./FrontOnline/