Për shkak të reshjeve të dëborës në disa zona malore të Shqipërisë dhe të reshjeve të shiut në të gjitha qarqet e vendit, Policia e Shtetit ka shtuar prezencën e punonjësve të Policia Rrugore në terren dhe të Patrullave të Përgjithshme, me qëllim monitorimin e qarkullimit të automjeteve, për të bërë të mundur parandalimin e aksidenteve dhe për të ndihmuar përdoruesit e rrugës në nevojë.
Përmes një njoftimi në rrjetin sociale Facebook, në akset rrugore në zonat malore të Shkodrës, Kukësit, Dibrës dhe Korçës, Policia apelon që drejtuesit e automjeteve të tregojnë më shumë vigjilencë dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore, transmeton Klankosova.tv.
“Aktualisht, ka vështirësi në qarkullim në akset rrugore “Bajram Curri – Valbonë” dhe “Kërrnaj – Pac – Shimshan”, në Kukës, “Bogë – Qafë Thorë – Theth” dhe “Tamarë – Selcë – Vermosh”, në Shkodër. Automjetet në këto akse duhet të kalojnë me zinxhirë. Aksi rrugor “Bypass – Qafë Murriz”, në Dibër, aktualisht është i pakalueshëm, pasi firma kontraktore po punon për pastrimin e rrugës nga dëbora”, thuhet në njoftim.
Policia shton se borëpastrueset ndodhen në terren dhe vijojnë punën për pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe për hedhjen e kripës, ndërsa theksohet se janë marrë masa në të gjitha akset rrugore nacionale dhe urbane, për shkak të reshjeve të shiut.
“Në këto kushte, Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e automjeteve që të moderojnë shpejtësinë, të qëndrojnë në radhë në akset ku ka ngadalësim të lëvizjes dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara. Në raste nevoje, përdoruesit e rrugës të telefonojnë në numrin pa pagesë 112”.