Rereprja Cardi B do të paguajë shpenzimet e funeralit për personat që humbën jetën në zjarrin vdekjeprurës në Nju Jork, shkruan CNN. Zjarri ka rënë në një bllok apartamentesh në Bronx dhe është shkaktuar nga një mosfunksionim në sistemin e ngrohjes.
U vranë 17 persona, mes tyre tetë fëmijë. Më shumë se 60 persona u plagosën. Cardi B u rrit në atë lagje të Nju Jorkut.
“Unë jam jashtëzakonisht krenare që jam nga Bronx dhe kam shumë familje dhe miq që ende jetojnë dhe punojnë atje. Kur dëgjova për zjarrin dhe të gjitha viktimat, e kuptova se duhej të bëja diçka për të ndihmuar”, tha reperja.
“Nuk mund ta imagjinoj dhimbjen dhe ankthin e përjetuar nga familjet e viktimave, por shpresoj se do t’i ndihmojë ata të mos shqetësohen për shpenzimet e varrimit. Unë dërgoj lutjet dhe ngushëllimet e mia për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi e tmerrshme”, ka shtuar ajo.
Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Eric Adams falënderoi Cardi. “Ne i jemi mirënjohës Cardi B, një superylli i vërtetë me dhe pa mikrofon, për ndihmën financiare për familjet e viktimave. Qyteti do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës asaj, si dhe donatorëve vendas dhe partnerëve të korporatës që ishin në gjendje të ofrojnë mbështetje të menjëhershme për fqinjët tanë të dëshpëruar”, tha Eric Adams./FrontOnline/